
Buletini informativ nr. 1, Maj 2022
I/E nderuar ,
Projekti “Shkollat për shëndetin” mbylli me sukses vitin e parë të implementimit në datën 28 Shkurt 2021. Ky buletin përfshin informacion mbi aktivitetet e zhvilluara nga data 1 Mars 2021 deri në 28 Shkurt 2022. I jemi mirënjohës të gjithë partnerëve tanë, fëmijëve, mësuesve, prindërve dhe anëtarëve të komuniteteve për gjithçka kemi arritur së bashku. Shpresojmë që gjatë vitit të dytë të projektit, të vijojmë të arrijmë më shumë anëtarë të komunitetit dhe fëmijë e të diskutojmë mbi shëndetin me ta.
Ju ftojmë të lexoni arritjet kryesore të vitit tonë të parë të implementimit
Urimet më të mira,
Skuadra e projektit “Shkollat për Shëndetin”
Planet e reja të veprimit mbi Sëmundjet jo të Transmetueshme dhe Promocionin Shëndetësor
Projekti “Shkollat për Shëndetin” dha kontributin e tij në rishikimin e planeve të vjetër të veprimit mbi sëmundjet jo të transmetueshme (SJT, 2016 – 2020) dhe Promocionin Shëndetësor (2017-2021). Pas kësaj, u hartuan planet e reja të veprimit mbi SJT (2021 – 2030) dhe Promocionin Shëndetësor (2022 – 2030) bazuar në konkluzionet dhe rekomandimet e raporteve respektive të vlerësimit. Të dy dokumentat do të miratohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Gjithashtu, janë hartuar dy përmbledhje të shkurtuara, një për secilin plan veprimi, në mënyrë që të arrihen audienca të gjera si ekspertë dhe individë të përfshirë në kontrollin dhe parandalimin e SJT, ekspertë të promocionit shëndetësor, politikë bërës dhe profesionistë të tjerë apo anëtarë të komunitetit në tërësi.
Rishikim i kurrikulës së arsimit bazë (9-vjeçar) mbi çështjet e lidhura me shëndetin
Kurrikula ekzistuese e arsimit bazë 9-vjeçar (për të gjithë fëmijët në moshë shkollore 6-16 vjeç) është rishikuar duke identifikuar boshllëqet në mësimdhënie dhe mësimnxënie lidhur me praktikat e sjelljeve të shëndetshme. Rishikimi përfshiu lëndë si edukimi fizik, sporti dhe shëndeti, biologjia dhe edukimi qytetar mbi çështje të lidhura me shëndetin si ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, edukimi seksual dhe gjithëpërfshirës, mos përdorimi i substancave (duhan, alkool, drogë), shëndeti dhe mirëqenia mendore, bullizmi duke përfshirë bullizmin kibernetik, dëmtimet dhe sigurinë e fëmijës në tërësi, dhunën në familje, higjienën dhe pastërtinë, menaxhimin e mbetjeve dhe shëndetin mjedisor në tërësi.
Rritje e kapacitetit të stafit të shkollës dhe specialistëve të promocionit shëndetësor në nivel lokal

Në tërësi 153 mësues, 218 personel shëndetësor në shkolla dhe 44 specialistë të promocionit shëndetësor në nivel lokal janë trajnuar mbi pesë module trajnimi të hartuara nga projekti “Shkollat për Shëndetin” (ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, shëndeti mendor, infeksionet seksualisht të transmetueshme, higjiena personale dhe parandalimi i sëmundjeve të transmetueshme), modelin Islandez të promocionit Shëndetësor dhe se si të transmetojnë më së miri mesazhe të promocionit shëndetësor tek fëmijët në moshë shkollore, në mënyrë që ata të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre lidhur me çështjet e shëndetit. Gjithashtu është realizuar një trajnim për trajnerë në çdo rajon për të fuqizuar mësuesit dhe specialistët e promocionit shëndetësor ku u synua që të trajnuarit t’i ndajnë njohuritë e fituara me kolegët e tyre sipas një modeli kaskadë.
Karavani i Shëndetit

Fushata “Karavani i Shëndetit” synoi ndarjen e mesazheve të shëndetit në mënyrë sa më atraktive. Pjesëmarrja e fëmijëve, prindërve dhe anëtarëvë të komunitetit në këto aktivitete masive ndihmoi në përmirësimin e ndërveprimit midis tyre lidhur me praktikat e një stili jetese të shëndetshme. “Karavani i Shëndetit” shkoi në 30 komunitete ku fëmijët u angazhuan në organizimin e panairëve të shëndetit, ndarjen e mesazheve mbi ushqyerjen dhe zhvillimin e aktiviteteve për një mjedis të pastër. Fushata në tërësi arriti 7447 persona nga të cilët 7258 ishin fëmijë, 141 mësues dhe 48 prindër.
Fushata e personazheve të njohur
Fushata e personazheve të njohur, solli në media kombëtare dhe stacione televizive lokale të Korçës, Elbasanit dhe Kukësit kampionin e sportit Gjergj Muzaka (një futbollist i njohur i skuadrës kombëtare dhe skuadrave më të mira të futbollit Shqiptar) i cili ndau mesazhe inkurajuese për fëmijët në mënyrë që ata të marrin pjesë në aktivitete sportive dhe të aktivizohen për të pasur një stil jetese të shëndetshëm. Gjatë spotit ai theksoi se “Në sport jemi të gjithë fitues pavarësisht rezultatit. Gjithsecili që luan sport është një person me disiplinë dhe personalitet më të fortë, më tolerant, më social dhe më i lumtur e i gëzuar”. Ky spot u transmetua 402 herë në televizion dhe audienca e arritur u vlerësua përafërsisht 250.000 persona.
Kontrolli dhe parandalimi i COVID 19
Projekti “Shkollat për Shëndetin” mbështeti 30 shkollat e përzgjedhura për ndërhyrje të thelluara gjatë vit të parë të tij (në rajonet e Elbasanit, Kukësit dhe Korçës) me materiale parandaluese të COVID 19 ku përfshihen disinfektantë, maska (për fëmijë dhe të rritur) si dhe doreza (vetëm për të rritur). Krahas pajisjes me materiale mbrojtëse, fëmijët e shkollave dhe mësuesit e tyre u instruktuan mbi rëndësinë e larjes së duarve, përdorimit të disinfektantëve, respektimit të distancës fizike dhe përdorimin korrekt të maskës.

Në tërësi u arritën 11,132 fëmijë shkolle (5,965 djem dhe 5,427 vajza) dhe 840 mësues (178 burra dhe 652 gra). Gjithashtu, u organizuan 27 seanca informative me prindër të cilët u informuan mbi masat e parandalimit të COVID-19.
Kontributi i dhënë për përfshirjen sociale të komuniteteve në nevojë, zonave rurale, fëmijëve/prindërve me aftësi të kufizuara si dhe familjeve që i përkasin skemës së ndihmës ekonomike

Që prej fillimit të tij, projekti “Shkollat për Shëndetin” ka theksuar rëndësinë e përfshirjes sociale. Prandaj, të gjitha shkollat e përzgjedhura për ndërhyrje të thelluara gjatë vitit të parë të tij përfshinë shkolla nga zonat rurale, peri urbane dhe urbane. Shkollat e përzgjedhura kishin nxënës nga komuniteti Rom dhe Egjiptian ose nga familje të varfëra. Të gjitha ndërhyrjet e projektit synuan rritjen e përfshirjes sociale dhe nxitën pjesëmarrjen e komuniteteve në nevojë. Angazhimi i organizatave lokale në aktivitetet e projektit ndihmoi në indentifikimin e komuniteteve më në nevojë.
Në tërësi, gjatë vitit të parë të implementimit u arritën 5’748 persona me mundësi të pakta nga të cilët 5’257 ishin fëmijë:
- 1’356 fëmijë Rom dhe Egjiptian,
- 3682 fëmijë nga familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike
- 219 fëmijë me aftësi të kufizuara
Seanca të pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve në 30 shkolla

Seancat e pastrimit rritën ndërgjegjësimin e nxënësve të shkollave mbi rëndësinë e pastërtisë së mjedisit në tërësi dhe menaxhimit të mbetjeve në veçanti. Në aktivitet morën pjesë 352 fëmijë (129 djem dhe 223 vajza), të cilët së bashku me prindërit dhe mësuesit e tyre pastruan mjediset e shkollës dhe rrotull saj në lagje apo fshat ose në zona të përzgjedhura si parqe. Përveç mësuesve dhe fëmijëve, 55 prindër u bënë pjesë e aktivitetit (48 gra dhe 7 burra).
Mjetet digjitale të zhvilluara gjatë vitit të parë të projektit
Gjatë vitit të parë të implementimit u zhvilluan një sërë aplikacionesh për fëmijë, staf shkollor dhe prindër:
- “Koronavirus” – Ofron informacion mbi parandalimin e COVID-19 tek fëmijët në moshë shkollore 6-16 vjeç.
- “Jo sheqerit” – Ky aplikacion ndihmon përdoruesit të ulin sasisë e sheqerit të konsumuar.
- “Ushqehu shëndetshëm” – Ofron informacion mbi ushqyerjen e shëndetshme.
- “Qendro aktiv” – Nxit aktivitetin fizik dhe ofron ushtrime konkrete sipas moshës së fëmijës së angazhuar.
- “Fëmijë special” – I dedikohet fëmijëve me nevoja të veçanta konjiktive dhe familjeve të tyre
- Platforma e-learning – Ofron trajnim në linjë për mësues dhe specialistë të promocionit shëndetësor
- Platforma e njohurive – Shërben si librari në linjë për të gjitha produktet e projektit
Të gjitha aplikacionet janë falas, të lehta për t’u përdorur, të sigurta dhe nuk kanë reklama. Ato gjenden në play store dhe ofrojnë lojra për mësimin interaktiv tek fëmijët. Ju lutem klikoni më poshtë për t’i shkarkuar këto aplikacione:
https://shkollatpershendetin.al/shkarko-aplikacionet-2/
