Në vitin 2022, Projekti “Shkollat për Shëndetin” ka ofruar grante direkte për bashkitë Korçë, Has, Kukës, Maliq dhe Gramsh për një sërë ndërhyrjesh në promovimin e shëndetit.
Në shkollën “Nuçi Naçi”, në Bashkinë Korçë, fondet janë përdorur për rikualifikimin e terrenit me qëllim kultivimin e kulturave bujqësore, duke përfshirë edhe sistemin e ujitjes. Ndërkohë, fondet tek shkolla “Isuf Dalipi” janë përdorur për të ndërtuar një terren sportiv që do të shërbejë si fushë për ushtrimin e sporteve si voleyball dhe basketball për fëmijët, mësuesit dhe të gjithë komunitetin.
Në Bashkinë Has zona përreth shkollës “Helshan” është rikualifikuar dhe në të është ndërtuar një kënd lojrash. Në Bashkinë Kukës, zona përreth shkollës “Lidhja e Prizrenit” është shndërruar në qendër sportive si rezultat i projektit “Shkollat për Shëndetin”. Në shkollën “Nevruz Vila” në bashkinë Maliq dhe në shkollën “Rilindja” në bashkinë Gramsh, projekti i ka shndërruar zonat përreth shkollave në kënde lojërash. Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve në kuadër të projektit përfitojnë rreth 1400 fëmijë, duke përfshirë dhe mësuesit dhe komunitetin përreth.
Përveç bashkive, Projekti “Shkollat për Shëndetin” po mbështet aktualisht dhënien e granteve/kontratave të drejtpërdrejta për organizatat lokale të shoqërisë civile (OSHC) dhe aktorë të tjerë të ndryshimit (individë dhe grupe individësh) në nivel vendor, me qëllim realizimin e aktiviteteve për promovimin e shëndetit.
