Rajoni i Durrësit, Lezhës dhe Beratit janë përzgjedhur për ndërhyrje të thelluara në vitin e dytë të zbatimit (Mars 2022 – Shkurt 2023) të projektit “Shkollat për Shëndetin”. Fushatat për promovimin e shëndetit kanë patur një ndikim pozitiv në perceptimin e fëmijëve, prindërve dhe mësuesve për zgjedhjen e një stili jetese të shëndetshme. Të gjitha aktivitetet gjatë fushatave të promovimit të shëndetit inkurajojnë komunikimin midis profesionistëve dhe komuniteteve. Nëpërmjet ndërhyrjeve në terren në rajonet e zgjedhura, kanë përfituar rreth 13,000 fëmijë. Fëmijët kanë marrë pjesë aktivisht në planifikimin e panaireve ushqimore, janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e një diete të shëndetshme dhe janë angazhuar në aktivitete që promovojnë një mjedis të pastër dhe të sigurtë.

Në tërësi, rezultatet nga fushatat e promovimit të shëndetit kanë përmirësuar sjelljet e lidhura me të ushqyerit tek fëmijët (konsumimi i rregullt i mëngjesit dhe konsumi ditor i të paktën 3 porcioneve fruta/perime), kanë rritur frekuencën e angazhimit në aktivitet fizik, prevalencën e larjes së dhëmbëve, praktikat e higjienës së mirë dhe shpeshtësinë e angazhimit në mbrojtjen e mjedisit. Për më tepër, niveli i arsimimit shëndetësor tek fëmijët është rritur për sa i përket të kuptuarit e të drejtave të tyre për kujdes shëndetësor cilësor, akses në kujdes shëndetësor dhe mbrojtje shëndetësore.
Si rezultat i aktiviteteve të projektit, 94% (nga të cilat, 52% vajza, ku 39% e tyre jetojnë në zona rurale) e pjesëmarrësve deklaruan se kanë fituar njohuri të reja me iniciativat për promovimin e shëndetit dhe aktivitetet e projektit mbi praktikat e një stili jetese të shëndetshme (ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, higjiena personale dhe mbrojtja e mjedisit).
