Në muajin Mars të vitit 2020, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ka mandatuar organizatën “Save the Children” për zbatimin e një projekti të promocionit shëndetësor dhe parandalimit të sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) në shkollat shqiptare: “Shkollat për Shëndetin”.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është ulja e nivelit të ekspozimit ndaj faktorëve të riskut të lidhur me SJT-të në popullatën shqiptare në përgjithësi, por me fokus kryesor fëmijët e moshës shkollore. Ky Projekt synon promovimin e sjelljeve të shëndetshme mes fëmijëve të shkollave 9-vjeçare (të moshës 6-16 vjeç) në Shqipëri me qëllim që ato, familjet e tyre përkatëse dhe komunitetet në tërësi të angazhohen në praktika dhe sjellje të shëndetshme përfshi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, mos përdorimin e duhanit, alkoolit ose drogave, promovimin e shëndetit mendor, promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues, higjienën personale, mbrojtjen e mjedisit, si dhe promovimin e sjelljeve të tjera të shëndetshme.
Ky Projekt mbarë-kombëtar konsiston në një Fazë Fillestare 1-vjeçare (Mars 2020 – Shkurt 2021), të ndjekur nga një Fazë Kryesore 4-vjeçare (Mars 2021 – Shkurt 2025).
Partnerët kryesorë të këtij projekti të rëndësishëm do të përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh dhe institucionesh në nivel qendror, si dhe në nivel rajonal dhe vendor (bashkitë).
Në nivel kombëtar, aktorët kryesorë nga sektori i shëndetësisë do të përbëhen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik. Nga sektori i arsimit, aktorët kryesorë në nivel kombëtar do të përfshijnë Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë Para-Universitare.
Nga sektori i ushqimit dhe i ushqyerjes, palët kryesore të interesit në nivel kombëtar do të përbëhen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Mjekësisë Veterinare.
Në nivel rajonal dhe vendor, aktorët kryesorë do të përbëhen nga Drejtoritë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (sektori shëndetësor); Drejtoritë Rajonale për Arsimin Parauniversitar dhe Zyrat Vendore të Arsimit (sektori i arsimit); si dhe autoritetet e qeverisjes vendore (përfshirë bashkitë dhe njësitë e tyre administrative përkatëse në nivel vendor).
Në të gjitha rastet, shkollat do të jenë në zemër të këtij projekti stimulues, duke përfshirë fëmijët, mësuesit, personelin ndihmës, autoritetet shkollore, prindërit e fëmijëve, si dhe të gjithë komunitetit.